Secondary Adv

Raportet mjedisore për ndërtimet dhe turizmin, qeveria vendos provim për ekspertët

Qeveria propozon provim me 100 pikë për ekspertët mjedisorë dhe pezullim të certifikatës në rast konflikti interesi.

Ekspertët që vlerësojnë ndikimin në mjedis të ndërtimeve, resorteve turistike, hidrocentraleve dhe projekteve industriale do të duhet të kalojnë një provim shtetëror për t'u certifikuar. Ndërkohë, ekspertëve që ushtrojnë funksione publike do t'u pezullohet certifikata në rastet kur ndodhen në konflikt interesi.


Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që ndryshon sistemin e certifikimit të ekspertëve përgjegjës për hartimin e raporteve të ndikimit në mjedis. Këto dokumente përdoren në procedurat e vlerësimit mjedisor të investimeve dhe janë pjesë e procesit të shqyrtimit të ndikimeve që projektet e zhvillimit mund të kenë në mjedis.


Rregullat e reja përfshijnë ekspertët që vlerësojnë ndikimin e projekteve të zhvillimit urban, ndërtimeve, komplekseve turistike, veprimtarive minerare, industrisë së hidrokarbureve, energjisë dhe infrastrukturës së transportit. Ndryshimet do të zbatohen edhe për ekspertët që kryejnë auditime dhe monitorime mjedisore.


Provimi me 100 pikë, kandidatët duhet të marrin të paktën 70 pikë


Sipas projektvendimit, certifikimi i ekspertëve mjedisorë do të kushtëzohet nga kalimi i një provimi shtetëror, i cili do të vlerësohet me 100 pikë. Për t'u certifikuar, kandidatët duhet të sigurojnë të paktën 70 pikë. Provimet do të organizohen minimumi dy herë në vit, në bashkëpunim me universitete ose institucione të tjera publike të specializuara.


Kandidatët që aplikojnë për certifikim duhet të zotërojnë diplomën Master i Shkencave ose një diplomë ekuivalente në një fushë të lidhur me ekspertizën mjedisore, si dhe të kenë të paktën dy vite përvojë profesionale.


Nga certifikimi do të përjashtohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale mjedisore, korrupsion apo falsifikim dokumentesh. Gjithashtu, certifikimi nuk do të lejohet për personat që kanë marrë masa administrative për shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor.


Ekspertëve në funksione publike u pezullohet certifikata në rast konflikti interesi


Një nga dispozitat kryesore të projektvendimit lidhet me ekspertët mjedisorë që punojnë në administratën publike. Dokumenti parashikon pezullimin e certifikatës në rastet kur ushtrimi i funksionit publik krijon konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi.


“Emërimi ose ushtrimi i një funksioni publik që krijon konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi përbën shkak për pezullimin e certifikatës së ekspertit mjedisor”, përcakton projektvendimi.


Gjatë periudhës së pezullimit, eksperti nuk do të ketë të drejtë të hartojë raporte të vlerësimit të ndikimit në mjedis apo të kryejë auditime mjedisore. Kjo masë synon të shmangë situatat në të cilat ekspertët mund të përfshihen njëkohësisht në funksione publike dhe në veprimtari profesionale që krijojnë konflikt interesi.


Certifikimi i kompanive dhe tarifat e aplikimit


Projektvendimi përcakton kritere të reja edhe për kompanitë që ofrojnë shërbime të ekspertizës mjedisore. Për t'u certifikuar, administratori i subjektit duhet të jetë vetë ekspert i certifikuar, ndërsa kompania duhet të ketë të punësuar me kontratë të paktën një ekspert të certifikuar.

Për individët, tarifa e aplikimit do të jetë 10 mijë lekë. Kjo shumë nuk do të rimbursohet edhe në rastet kur kërkesa për certifikim refuzohet.


Ndërkohë, për kompanitë, projektvendimi përmban dy tarifa të ndryshme. Në pjesën që përcakton kriteret e certifikimit parashikohet një tarifë prej 15 mijë lekësh, ndërsa në dispozitat që rregullojnë procedurat e aplikimit përcaktohet një tarifë prej 10 mijë lekësh. Kjo mospërputhje mbetet për t'u sqaruar gjatë procesit të konsultimit dhe miratimit të aktit.


Aplikimet përmes e-Albania, lista e ekspertëve do të jetë publike


Sipas projektvendimit, aplikimet për certifikim do të kryhen përmes platformës e-Albania. Ministria e Mjedisit do të ketë një afat prej shtatë ditësh pune për shqyrtimin fillestar të dokumentacionit të paraqitur nga aplikantët.


Lista e ekspertëve të certifikuar, së bashku me fushat përkatëse ku ata lejohen të ushtrojnë veprimtarinë profesionale, do të publikohet në faqen zyrtare të ministrisë. Kjo masë synon të rrisë transparencën dhe të mundësojë identifikimin e ekspertëve të autorizuar për hartimin e raporteve dhe kryerjen e auditimeve mjedisore.


Në relacionin shoqërues, Ministria e Mjedisit argumenton se ndryshimet synojnë “rritjen e besueshmërisë së raporteve dhe ekspertizave mjedisore”, si edhe përmirësimin e transparencës së procesit të certifikimit.


Ekspertët që janë certifikuar sipas sistemit aktual do të vazhdojnë të njihen, por do të duhet të regjistrohen në listën e re brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.


Projektakti parashikon zëvendësimin e rregullave të vitit 2008, duke vendosur një sistem të ri certifikimi dhe kontrolli për ekspertët që hartojnë raporte të ndikimit në mjedis. Ndryshimet janë ende në fazën e konsultimit publik dhe do të zbatohen pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të vendimit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat